Dhëmbët e qumështit dhë rëndësia e tyre


Gjate gjithe jetes se njeriut,sistemi dhembor i tij i nenshtrohet 2 fazave:
       1)Sistemi dhembor i perkohshem
       2)Sistemi dhembor i perhershem.

Sistemi dhembor i perkohshem perfaqesohet prej dhembeve te qumshtit,te cilet jane struktura te vogla,te bardha dhe qe vendosen ne te dy nofullat.Dhembet e qumshtit jane 20 ne numer ku 10 jane te vendosur ne nofullen e siperme dhe 10 te tjere ne nofullen e poshtme.Sipas funksionit qe kane keta dhembe klasifikohen:
       1) Dhembe preres(incizivet)-> presin ushqimin;
       2) Dhembe shqyes(kaninet) ->shqyejne ushqimin;
       3) Dhembe pertypes(dhemballa e pare dhe e dyte)->Pertypin ushqimin.

Per secilen nofull,sistemi dhembor i perkohshem ka: 4 incizive, 2 kanine dhe 4 dhemballe.
Zakonisht dhembi i pare i qumshtit del rreth moshen 6-8 mujore dhe sistemi dhembor i perkohshem kompletohet para moshes 3 vjec(rreth 33 muajve te pare te jetes). Ne raste te rralla ka bebe qe lindin me dhembe ne goje. Procesi i daljes se dhembeve te qumshtit mund te shoqerohet ose jo me shqetesime,kjo varet nga niveli i tolerimit te ndjeshmerise dhe dhimbjes nga femija. Ne disa femije simptomat shoqeruese te daljes fillojne qe 2-3 muaj para dhe perfshijne:
      – shtim te sekrecioneve(jargeve)
       – femija eshte i prirur te kafshoje sende me shume se zakonisht
       – femija eshte me i acaruar dhe ben sjellje tilla si terheqja e vesheve,ferkim i mjekres dhe faqeve
       – oreksi eshte i pakesuar
       – temperature
       – kolle
       – diarre
       – gingiva rreth dhembit paraqitet e fryre dhe e skuqur e ne disa raste mund te kete disa njolla te bardha.
Keto simptoma mund te lehtesohen nga nena nepermjet disa metodave te thjeshta te tilla si:
       – copa frutash te ftohta te cilat i jepen femijes t’i mbaje ne dore
       – garze sterile e ftohur ku femija mund te kafshoje
       – dhenia e lodrave te posacme per kruajtjen e dhembeve(gjenden ne farmaci) te cilat jane futur paraprakisht ne frigorifer
       – perdorimi i xhelit qe qeteson gingiven e acaruar(jepet me rekomandimin e mjekut).
Si rregull,larja e dhembeve behet qe kur del dhembi i pare. Ky proces fillimisht realizohet nga nena nepermjet nje garze sterile e cila zhytet ne uje te vaket dhe pastron gjithe kavitetin oral pasi femija eshte ushqyer. Kur femija aftesohet te mbaje furcen ne dore,ai mesohet gradualisht t’i furcoje vet dhembet. Ekzistojne ne treg furca dhe pasta sipas grupemoshes. Eshte e keshillueshme qe nena bashke me bebin te bejne viziten e pare tek mjeku stomatolog kur ai eshte rreth 6 muaj. Mjeku viziton femijen dhe e informon nenen per rregullsine e vizitave e njekohesisht i jep keshillat e duhura per kujdesin ndaj dhembeve te qumshtit. Eshte mjaft e rendesishme qe takimi i pare i femijes te mos jete i motivuar nga dhimbja e ndonje dhembi ne menyre qe ne vazhdimesi femija te beje lidhjen dhimbje/dentist sepse demton rende bashkepunimin mes tyre ne te ardhmen. Perse eshte i rendesishem kujdesi ndaj dhembeve te qumshtit?Jane jo te pakta rastet ku prinderit e kane neglizhuar kujdesin ndaj dhembeve te qumshtit bazuar ne faktin qe ata jane te perkoheshem ne goje.Kjo mendesi duhet ndryshuar patjeter dhe eshte pergjegjesi e mjekut stomatolog per te informuar prindin dhe nga ana tjeter prindi duhet te bashkepunoje duke i mare ne konsiderate keshillat e mjekut. Eshte e vertete qe dhembet e qumshtit kane nje kohe te kufizuar per te qendruar ne goje ,por brenda ketij afati kohor qe natyra u ka caktuar ata duhet te qendrojne te shendetshem e te kuruar deri kur t’u vije koha biologjike per t’u nderruar. Dhembet e qumeshtit ruajne hapesiren per dhembin e perhershem qe do vije, ndaj heqja para kohe(si rezultat i moskujdesjes dhe moskurimit ) do te sjelle pasoja ne pozicionimin e dhembeve te perhershem si pasoje e mungeses se hapesires. Nga ana tjeter edukimi qe ne vogeli per kujdes te rregullt dentar eshte nje garanci per te ardhmen, pra nje zakon i mire i pervetesuar nga femije ne individe ne moshe madhore. Nje femije i mesuar me nje kujdes te rregullt dentar nga ana e prindit dhe mjekut ka me pak gjasa te preket nga kariesi krahasuar me nje femije te neglizhuar ne kete drejtim.Ne sistemin dhembor,pasojat qe vijne nga neglizhimi i vazhdueshem i kujdesit qe ne vogeli jane te parikthyeshme dhe rikuperimi i tyre do kerkoje kosto te larta biologjike,kohore dhe ekonomike.

Gjithashtu nje shendet jo i mire oral ndikon ne shendetin e pergjithshem te organizmit.Jane jo te pakta rastet qe ne si mjeke stomatologe hasim ne perditshmerine tone te punes ku prindi paraqitet me femijen me nje rekomandim nga mjeku pediater,i cili para se te beje diagnozen diferenciale te semundjes kerkon te sigurohet qe femija ka dhembe te shendetshem.Studimet e fundit shkencore ne lidhje me dhembet e qumshtit jane gjithashtu mjaft interesante.Ato konfirmojne qe dhembet e qumshtit permbajne nje duzine qelizash te vlefshme(qeliza staminale).Keto qeliza jane te vendosura ne pulpen e dhembit dhe kane aftesine qe me pas te rigjenerohen ne neurone,kocke,kerc apo edhe qeliza te zemres.Nese ne nje te ardhme femija mund te vuaje nga ndonje semundje e organeve te ndryshme keto qeliza mund t’i shpetojne atij jeten.Qe keto qeliza te jene te vlefshme ato duhen ruajtur ne kushte te caktuara.Ekzistojne shume sherbime dhe kompani te cilat ofrojne realizimin e procesit te ruajtjes se ketyre qelizave qe nga mbledhja e dhembit neper shtepi,paketimi i tij e deri tek ruajtja e qelizave ne kushtet laboratorike.Si perfundim,vlen te theksohet se dhembet e qumshtit jane mjaft te rendesishem,kane vlere!  (Dr.Lorena Duri,mjeke stomatologe)

Frika nga dentisti, si ta menaxhojmë

Dr. Lorena Duri, mjeke stomatologe

Është një fakt i pamohueshëm se kur përmendim në diskutimet tona fjalët “klinikë dentare”, “dentist/e”, “dhimbje dhëmbi”, “konsultë dentare”, shumica e individëve shfaqin frikë, stres dhe ankth që manifestohet në mimikë apo në fjalë e gjeste, madje tek disa rriten të rrahurat e zemrës, fillojnë djersitin e zbehen. Ky fenomen është akoma më i prekshëm në përditshmërinë tonë si mjekë stomatologë. Çdo ditë të punës sonë hasim pacientë të cilët shfaqin frikë dhe ankth kur ulen në poltron. Këta pacientë i ndajmë në dy kategori: Fëmijë dhe të rritur të cilët kanë pasur eksperienca jo të mira tek dentisti në të kaluarën. Për sa i përket kategorisë së parë e cila përfshin fëmijët, mund të themi se përfshin grupin më të vështirë të pacientëve për ne mjekët. Kjo, jo vetëm për faktin se ata nuk janë në gjendje të komunikojnë saktë atë çka ndiejnë dhe i shqetëson, por kërkon një bashkëpunim të mirë me prindërit, roli i të cilëve është kyç në këtë bashkëpunim. E theksojmë këtë të fundit pasi janë të shpeshta rastet kur fëmija i cili paraqitet për herë të parë në një klinikë dentare, sapo hyn, qan dhe bërtet pa asnjë shkak.

Kjo është një e dhënë që prindërit në shtëpi e negativizon figurën e mjekut duke përdorur shprehje të tipit “të çova tek doktori “, pa e kuptuar se ç’dëm po i shkaktojnë bashkëpunimit mjek-fëmijë. Prindi duhet t’i flasë fëmijës që në vegjëli në lidhje me figurën e mjekut dhe t’i shpjegojë atij rëndësinë e mjekut i cili e shëron, e qetëson fëmijën dhe nuk është një figurë që i shkakton dëm apo frikë fëmijës. Nëse prindi e edukon me këtë mënyrë, fëmija bindet më lehtë që të pranojë të mjekojë në kohë dhëmbët dhe për pasojë të shmangen efektet negative të mos mjekimit në kohë të dhëmbëve.

Prindi gjithashtu duhet të jetë i rregullt në lidhje me kontrollet periodike të fëmijës tek dentisti (çdo 6 muaj ) dhe jo ta shoqërojë tek mjeku vetëm në rastet kur fëmija e zgjon nga gjumi sepse i dhemb dhëmbi. Pra, është detyrë e prindit t’i transmetojë fëmijës një kulturë dentare që në vegjëli dhe nga ana tjetër mjeku duhet ta përforcojë këtë punë që prindi ka bërë duke e trajtuar fëmijën me durim e dashuri. Përveç fëmijëve, është një numër i madh të rriturish të cilët kanë frikë nga dentisti dhe i lënë dhëmbët për një kohë të gjatë pa mjekuar.

Një pjesë e mirë e tyre e kanë mbartur këtë frikë që nga fëmijëria, ndërsa pjesa tjetër e lidhin këtë frikë me një eksperiencë të mëparshme të dhimbshme. Është e vërtetë që disa vite më parë njohuritë në fushën e stomatologjisë ishin të kufizuara, po ashtu dhe teknologjia në këtë fushë. Shumë manipulime dentare ishin të dhimbshme sepse anestezi nuk kishte. Në ditët e sotme, shkenca dhe teknologjia ka përparuar dhe frika ndaj dentistit nuk është më e justifikuar. Anestezia dhe llojet e saj janë perfeksionuar, aget gjithashtu, në mënyrë që dhimbja gjatë bërjes së anestezisë të jetë e papërfillshme. Pajisjet dhe poltronat dentarë janë më komodë dhe bëjnë më pak zhurmë, gjithashtu pacienti mund të dëgjojë muzikë gjatë procesit të punës, nëse është i ndjeshëm ndaj zhurmave. Sot klinikat dentare janë dizenjuar në mënyrë të tillë që e bëjnë ambientin më paqësor dhe më relaksues për pacientët.

Me pak fjalë, në ditët e sotme nuk ka asnjë arsye konkrete për të pasur frikë nga dentisti. Ekziston një kategori e veçantë pacientësh të cilët kanë një frikë shumë të madhe, të cilët edhe pse zhvillojnë seanca të tëra këshillimi me dentistin nuk pranojnë kurrsesi të mjekojnë dhëmbët, ata vijnë disa herë në klinikë dhe largohen përsëri pa bërë asnjë mjekim dentar për shkak të frikës së ekzagjeruar. Këta quhen pacientë fobikë dhe kërkojnë mjekim të përgjithshëm me psikoterapi dhe ilaçe.

Disa këshilla për pacientët në lidhje me menaxhimin e frikës dhe ankthit nga dentisti:

  • Është mjaft e rëndësishme të kuptohet që frika dhe ankthi nuk e zgjidh problemin e shëndetit oral, përkundrazi e përkeqëson. Nëse dhëmbët nuk mjekohen atëherë struktura e tyre shkatërrohet vazhdimisht derisa dhëmbi bëhet i pavlefshëm dhe hiqet.
  • Diagnostikimi i hershëm i problemeve dhëmbore i kursen pacientit dhimbjen ,kohën dhe lekët.
  • Frika dhe ankthi nuk bazohet në diçka konkrete dhe pacienti duhet të punojë me veten në këtë pikë.
  • Para se të vendosni të kryeni ndonjë procedurë dentare lini një takim me mjekun dhe flisni me të në lidhje me frikërat tuaja.
  • Një ditë para se të shkoni të mjekoni dhëmbët, ushqehuni mirë me një dietë të pasur me proteina (rrisin prodhimin e lëndëve qetësuese për organizmin), eliminoni pijet me kafeinë të cilat rrisin ankthin, pushoni sa më shumë dhe flini herët.
  • Ditën që do të shkoni tek dentisti dëgjoni këngët tuaja të preferuara ose mund t’ia kërkoni dentistit t’i vendosë në sfond që t’i dëgjoni.

 

Paradontoza, lidhja me sëmundjet e zemrës

Dr. Lorena Duri, stomatologe

Sëmundja periodontale (paradontoza) është një çrregullim oral i cili paraqet një problem serioz për shëndetin oral të individit. Të dhënat statistikore tregojnë se 75% e popullsisë vuan nga kjo sëmundje. Përditshmëria jonë si mjekë stomatologë e konfirmon këtë të dhënë pasi 3 nga 4 pacientë që paraqiten në klinikë vuajnë nga paradontoza. Shqyrtimi i kësaj sëmundje është i detyrueshëm nga ne si mjekë në mënyrë që të rritet shkalla e informimit të individit dhe të ulen pasojat negative që kjo sëmundje sjell në shëndetit oral i cili zë jo pak peshë në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Indet që rrethojnë dhëmbët janë gingiva (mishi rreth dhëmbit), ligamenti periodontal dhe kocka alveolare. Sëmundja paradontale (paradontoza) është një sëmundje inflamatore progresive që prek pikërisht këto inde që rrethojnë dhëmbin dhe që e mbajnë atë të fiksuar në kockë. Në të tilla kushte, dhëmbi fillon dhe lëviz. Në fazën e përparuar të sëmundjes lëvizshmëria e dhëmbit theksohet derisa dhëmbi humbet përfundimisht. Pra, dhëmbi shkon drejt heqjes (ekstraksionit). Paradontoza është shkaku më i zakonshëm i humbjes së dhëmbëve në individët me moshë mbi 35 vjeç.

Si zhvillohet?

Karakteristikë e kësaj sëmundje është se përparon ngadalë dhe në stadet fillestare nuk shoqërohet me dhimbje. Sëmundja fillon me inflamacionin e gingivës (gingiviti) dhe me kalimin e kohës inflamacioni përhapet drejt ligamentit periodontal dhe kockës alveolare. Gingiva e inflamuar humbet kontaktin më dhëmbin dhe mes tyre krijohet një hapësirë që quhet xhep. Përparimi i sëmundjes shoqërohet me tërheqje të gingivës dhe humbje të kockës alveolare (rezorbim) e si rrjedhojë dhëmbët fillojnë të lëkunden si pasojë e humbjes së stabilitetit në kockë.

Si manifestohet (shenjat klinike)?

Shenjat klinike varen nga faza në të cilën ndodhet sëmundja, por në mënyrë të përmbledhur mund të përmendim:

Gingivat janë të ënjtura, gjakosen dhe janë të dhimbshme kur preken.

Pacienti ankohet për erën e keqe dhe shije jo të mirë në gojë.

Për shkak të tërheqjes së gingivës dhe humbjes së kockës rrënja e dhëmbit ekspozohet e si rrjedhojë dhëmbi duket më i gjatë dhe ndjeshmëria nga të nxehtit dhe të ftohtit rritet.

Dhëmbët fillojnë të krijojnë hapësira mes tyre ose të lëvizin (më e theksuar paraqitet tek dhëmbët frontale, të përparme).

Nëse pacienti ka protezë, vë re një lëvizshmëri të dhëmbëve ku mbështetet proteza.

Çfarë e shkakton paradontozën?

Shkaktari kryesor i paradontozës është pllaka bakteriale e cila nënkupton një shtresë të hollë e të padukshme bakteresh e cila vendoset mbi dhëmb. Është pikërisht kjo pllakë bakteriale që sulmon mishrat e dhëmbëve duke i inflamuar. Pllaka bakteriale gjen terren të veprojë në pacientë që nuk kujdesen për higjienën e gojës. Në pacientë me higjienë jo të mirë të gojës, pllaka bakteriale bashkëvepron me shtresën e ushqimeve të mbetura në gojë dhe kur ngurtësohet formon gurzat të cilët mund të vendosen mbi ose nën gingive. Gurzat nuk mund të pastrohen me furçë nga vetë pacienti por me anë të një pastrimi profesional nga mjeku në klinikë.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në përkeqësimin e kësaj sëmundje janë:

-Konsumi i duhanit

-Ndryshimet hormonale në trupin e njeriut (puberteti, shtatzënia, menopauza).

-Diabeti

-Sëmundjet kardiovaskulare

-Kimioterapia

-Medikamente të caktuara të cilat ulin imunitetin

-Infeksionet virale

-Stresi

-Konsumimi i tepërt i alkoolit.

Theksojmë që shkaktari kryesor i sëmundjes paradontale është pllaka bakteriale, faktorët e tjerë janë dytësore dhe rrisin riskun e prekjes, por janë jovendimtare.

Cilat janë fazat nëpër të cilat kalon kjo sëmundje?

Sëmundja paradontale kalon nëpër katër faza:
Gingiviti – Sëmundja ka prekur vetëm gingivën. Kjo fazë është e rikthyeshme çka do të thotë që nëse sëmundja identifikohet në këtë fazë ajo shërohet.

Faza e fillestare- Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave arrin në 3-4 mm.

Faza e moderuar- Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave është midis 4-6 mm. Të dhënat radiologjike tregojnë humbje horizontale dhe vertikale të kockës.

Faza e avancuar – Sëmundja ka prekur gingivën dhe kockën. Thellësia e xhepave arrin në 6 mm. Të dhënat radiologjike tregojnë humbje horizontale dhe angulare të kockës.

Si vendoset diagnoza e saktë?

Diagnoza e saktë vendoset nga mjeku stomatolog pasi ai është prezantuar me ankesat e pacientit dhe ka bërë një shqyrtim të rastit duke e ekzaminuar klinikisht dhe me të dhënat ndihmëse nga grafitë dentare.

Si parandalohet? 
Mënyra e vetme me anë të së cilës kjo sëmundje mund të parandalohet është një pastrim cilësor i përditshëm i kavitetit oral nga ana e pacientit si dhe kontrollet e rregullta periodike tek mjeku stomatolog (të paktën 1 herë në vit).

Cili është mjekimi dhe a ka mundësi për shërim?
Nëse sëmundja ka prekur vetëm gingivën dhe kapet në këtë fazë (në fazën e gingivitit) është e rikthyeshme, pra shërohet. Nëse sëmundja, krahas gingives ka përparuar duke prekur edhe kockën alveolare, nuk ka rikthim. Megjithatë edhe në këto faza është e rëndësishme kujdesi mjekësor në mënyrë që sëmundja të mbahet nën kontroll dhe të mos përparojë. Mjekimi i sëmundjes paradontale varet nga stadi në të cilën ndodhet dhe plani i trajtimit hartohet nga mjeku stomatolog. Mjeku bën një pastrim profesional të dhëmbëve, vë në dijeni pacientin mbi situatën dhe i propozon atij planin e trajtimit. Plani i trajtimit mund të përfshijë antibiotikoterapinë ose jo, trajtimin kirurgjikal ose jo (në varësi të situatës). Sot, në shërbim të pacienteve është dhe lazeri dentar i cili e bën trajtimin e sëmundjes më të lehtë për mjekun dhe më pak traumatik për pacientin. Mjeku gjithashtu i jep këshilla pacientit lidhur me mënyrën e larjes së dhëmbëve, llojin e furçës dhe pastës që duhet të përdorë si dhe e informon lidhur me shpeshtësinë e ardhjes në klinikë.

Roli i pacientit është kyç në këtë bashkëpunim në mënyrë që trajtimi të ketë sukses.

Përse është i rëndësishëm mjekimi i sëmundjes periodontale? 
Mjekimi i kësaj sëmundje është mjaft i rëndësishëm, madje i detyrueshëm jo vetëm për faktin që të rritet jetëgjatësia e dhëmbëve në mënyrë që individi të mos mbesë pa dhëmbë në një moshë shumë të re, por arsye tjetër mjaft e fortë është roli që kjo sëmundje ka në mirëqenien e përgjithshme të organizmit. Studimet shkencore tregojnë një lidhje mes paradontozës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Është vënë rë një rritje e incidencës (2 herë më shumë) për sëmundje të zemrës tek individët që vuajnë nga paradontoza. Gjithashtu ka studime që konfirmojnë se femrat që vuajnë nga paradontoza janë më shumë të rriskuara të kryejnë abort spontan. Arsyeja për të dyja rastet e sipërpermendura është fakti që mikroorganizmat e vendosura në pllakë bakteriale kalojnë përmes qarkullimit të gjakut dhe sulmojnë zemrën dhe fetusin. Pra, këshilla për gjithë pacientët është të mos neglizhojnë asnjëherë kujdesin për higjienën e përditshme orale dhe të jenë të rregullt me kontrollet periodike te mjeku stomatolog. Të parandalosh është më mirë se të mjekosh dhe një shëndet i mire oral është një mirëqenie e përgjithshme e organizmit e si rrjedhojë një jetesë me cilësi të lartë.